Debati për kontratat e HEC-eve – Ahmeti: Ndryshime ligjore, para pajisjes me licencë duhet “leje” nga ujërat
Enti Rregullator i Energjisë po miraton disa ndryshime ligjore për licencat e hidrocentraleve, duke synuar mbrojtjen e mjedisit. Sipas kreut të këtij institucioni, Petrit Ahmeti, përpara se të pajisen me licencë, këto subjekte duhet të marrin një opinion nga institucionet përgjegjëse për përdorimin e rezervave ujore.
Ndërkaq, deputeti Besnik Baraj ka kërkuar gjetjen e mekanizmave për mos lejimin e ndërtimit të këtyre veprave energjetike, në rast se ato dëmtojnë mjedisin, por sipas Ahmetit duhen diskutime të mëtejshme në këtë drejtim.
Ndryshimet ligjore nga ana e Entit Rregullator të Energjisë vijnë pas nisjes së skanimit të kontratave koncesionare nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku një prej kritereve të këtij procesi do të bazohet në faktin nëse këto kontrata koncesionare janë në përputhje me kushtet mjedisore dhe standardet e kërkuara në zonat përkatëse.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.