Del vendimi/Pas hapjes së tenderit ndërkombëtar, aerodromi i Vlorës ndryshon përgjegjësinë e administrimit
Qeveria ka ndryshuar përgjegjësinë e administrimit të aerodromit të Vlorës. Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, aerodromi kalon në përgjegjësi administrimi nga ministria e Mbrojtjes te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Vendimi vjen në një kohë kur sapo është hapur tenderi ndërkombëtar për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të ri në Vlorë.
Gara për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e hapur deri në datën 12 mars, duke ju dhënë mundësinë kompanive të interesuara të paraqesin ofertat e tyre.
Parashikohet që në 31 maj të nisin punimet në terren për ndërtimin e kësaj vepre. Ndërtimi dhe operimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do të zhvillohet përgjatë një periudhe 35-vjeçare. Nga ky aeroport parashikohet të kryhen edhe fluturime direkte transoqeanike, për shkak të kushteve teknike në të cilat ky aeroport do të ndërtohet.
Ndërtimi dhe operimi i këtij aeroporti ishte parashikuar t’i jepej një konsorciumi turk por ky i fundit u tërhoq.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.