Dëmi nga zhvlerësimi i euros – Ahmetaj: U rikuperua nga rritja e volumeve, eksportet konkurruese
Zhvlerësimi i euros ka dëmtuar eksportet në vend, por ky dëm është rikuperuar nga rritja e volumeve. Kështu është shprehur Ministri i Financave Arben Ahmetaj, pjesëmarrës në tryezën e konsultimit mbi programin buxhetor afatmesëm 2019-2021.
Ahmetaj bëri një pasqyrë të ecurisë së ekonomisë në tërësi gjatë këtij viti, ku vuri theksin tek rritja ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës, rritja e të ardhurave nga turizmi, si dhe rritja e investimeve dhe eksporteve.
Lidhur me programin buxhetor afatmesëm 2019-2021, Ahmetaj bëri me dije se buxheti për vitin e ardhshëm do të ketë në qendër qytetarin.
Do të mbështetet arsimi profesional, sipërmarrja, infrastruktura rrugore, shëndetësia si dhe do të targetohen më mirë njerëzit në nevojë përmes skemës së re të ndihmës ekonomike. Përpos mbështetjes, Ahmetaj ka edhe një kërkesë për sipërmarrjen.
Program buxhetor afatmesëm është konsultuar me shoqërinë civile, ku u diskutua mbi investimet konkrete që parashikon qeveria gjatë 3 viteve të ardhshme dhe sektorët prioritarë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.