Denaj prezanton projektbuxhetin 2020 – Parashikohet rritje të ardhurash
Gjatë vitit të ardhshëm vendi nuk do të përballet me rritje taksash por do të ketë rritje të ardhurash. Kjo u deklarua nga ministrja e Financave Anila Denaj në prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2020 para komisionit parlamentar të ekonomisë. Denaj tha se borxhi publik është reduktuar gjatë vitit 2019 dhe se rezultatet paraprake fiskale tregojnë se realizimi i buxhetit përputhet me pritshmëritë.
Në fjalën e saj ministrja tha gjithashtu se rritja e te ardhurave është e nivelit 3.4% dhe ekzistojnë premisat për një rritje ekonomike prej 4.1% afat gjate dhe afatmesme në vitin 2020, kur të ardhurat totale të buxhetit të shtetit priten të jenë 474 miliardë lekë. Kjo nënkupton një rritje me 6.2% krahasuar me vitin 2019 si rrjedhoje e rritjes nominale të PBB, kursit të këmbimit etj.
Sipas Denaj, për vitin e ardhshëm nuk parashikohen ndryshime thelbësore fiskale por një konsolidim i ndryshimeve të realizuara gjatë 2019. Ligji i fiskalizimit do të vazhdojë të minojë informalitetin kudo në vend si dhe pritet një rënie e papunësisë më 10.6% në 2020.
Gjatë prezantimit ajo vuri theksin edhe tek deficiti për 2020 i cili pritet te jete ne nivelin e 1.6% te PBB. Në investimet e parashikuara për 2020 u nënvizuan konkretisht këto fusha kryesore: shëndetësia , arsimi, bujqësia (ku parashikohen 1.8 miliardë leke me shume si buxhet), infrastruktura rrugore, fusha e sigurisë kombëtare, shpenzimet e personelit (rritje pagash) etj.
Pas prezantimit në komisionin e ekonomisë, projektbuxheti do ti nënshtrohet diskutimeve në komisionet e tjera kuvendit për të kaluar më pas për diskutimin maratonën në Kuvend e në fund votimin e tij.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.