“Depozitat e ujit do të hiqen nga tarracat”, miratohet vendimi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës
Tërmeti i 26 nëntorit padyshim ka sjellë edhe njëherë në vëmendje problemet e ndryshme që lidhen me konstruksionin e ndërtesave dhe gabimeve të bëra përgjatë dekadave.
Një problem i identifikuar në masë nga inxhinierët e huaj, janë edhe depozitat me ujë mbi tarracat e pallateve, duke bërë që në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari Veliaj të shprehte propozimin për heqjen e tyre dhe Bashkia e Tiranës do të udhëzojë ndërtimin e depozitave të përbashkëta të ujit që do të vendosen në ambientet e bashkëpronësisë në katet e para:
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Tirana duhet të mësojë nga ajo që ka ndodhur pas tërmetit.
“Ju propozojmë një vendim të Këshillit Bashkiak, ku Bashkia emeton për të gjithë administratorët e pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat. Një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca që është në mënyrë konstante rrezik për jetën, ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë, dhe nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, ne duhet të jemi ata që mësojnë nga historia.
Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të liçencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është edhe arsyeja pse do i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim, do i japim një leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes ose në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe.”, tha Veliaj.
Gjithashtu është marrë edhe vendimi për rreth 2200 familje për pezullimin e kontratës si dhe u është falur fatura e ujit së bashku me taksat për muajin nëntor.
Ky vendimi sipas UKT erdhi pas bashkëpunimit me njësitë administrative ku në përfundim të vlerësimeve të grupeve të ekspertëve u konstatuan se banesat e këtyre familjeve janë të pabanueshme.
Ky vendim do të përfshijë edhe familje të tjera nëse banesa e tyre shpallen të pabanueshme pas verifikimeve përkatëse nga grupet e inxhinierëve të ndërtimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.