Depozitat, edhe vjeshta në rritje – U shtuan me 44 miliard lekë në gjashtë muajt e fundit
Depozitat bankare kanë ndjekur një tendencë pozitive edhe gjatë vjeshtës. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajin tetor depozitat e përfshira në treguesin e parasë së gjerë, u rritën me rreth pesë miliardë lekë. Depozitat u rritën për të gjashtin muaj radhazi, me gjithsej rreth 44 miliardë lekë që nga fillimi i muajit maj.
Vlera totale e depozitave arriti në 1 trilion lekë e 12 miliardë lekë, në rritje me 3.4% krahasuar me një vit më parë. Ashtu siç ndodhi gjatë muajve të verës, edhe për tetorin rritja e depozitave erdhi kryesisht në valutë të huaj e sidomos në euro. Në gjashtë muajt e fundit, depozitat në valutë janë rritur në ekuivalentin e rreth 24 miliardë lekëve.
Pesha e valutës kundrejt totalit të depozitave në sistemin bankar shqiptar është zgjeruar më tej gjatë këtij viti dhe ka arritur në rreth 55% të totalit. Besohet se kontribuuesit kryesorë janë të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe puna jashtë vendit, por edhe nivelet ende të larta të investimeve të huaja direkte.
Banka e Shqipërisë vlerëson se, në veçanti, rritja e turizmit dhe zgjatja e sezonit turistik kanë dhënë efekte të ndjeshme edhe në kursin e këmbimit, duke e shtirë më gjatë mbi çmimin sezonal të lekut në periudhën e verës.
Euro është gjithnjë e më shumë zgjedhja e parë e shqiptarëve për të mbajtur kursimet e tyre, pavarësisht nga nënçmimi i monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun gjatë tre viteve të fundit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.