Detyrimi për vaksinën anticovid – Manastirliu: Nga e hëna, mësuesit e pavaksinuar do paraqesin çdo javë testin negativ
Me nisjen e vitit të ri shkollor, fillon dhe detyrimi për mësuesit për të vërtetuar se nuk janë të prekur nga COVID-19, në rast se nuk kanë kryer vaksinën. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se të hënën do të bëhet publik edhe udhëzimi mbi hapat që do të ndiqen për të verifikuar certifikatat e vaksinimit, ndërkohë që nga 11 tetori ai do të jetë i vlefshëm edhe për studentët.
Sa i takon studentëve të pavaksinuar, Manastriliu tha se do të jetë universitetet që do të organizojnë mësimin e alternuar për ata që nuk e kanë kryer vaksinën, çka nënkupton dhe moslejimin e tyre në auditore.
Sipas ministres deri më tani janë vaksinuar 80% e mësuesve , teksa 66 % e tyre i kanë marrë të dyja dozat. Ajo iu bëri thirrje qytetarëve që t’iu drejtohen qendrave të vaksinimit, duke e konsideruar vaksinën të vetmen armë për t’u mbrojtur dhe për të ulur riskun e prekjes nga virusi.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.