Dhoma e Tregtisë ndan çmimet për bizneset – RTV SCAN i akordon Selami Xhepës çmimin “Ekonomisti i Vitit”
Dhoma e Tregtisë së Tiranës ndau çmimet e fundvitit për bizneset për kontributin e madh të dhënë gjatë këtij viti. Dhjetëra personalitete nga biznesi, politika por edhe arti ishin të pranishëm në këtë mbrëmje dedikuar sipërmarrjeve.
Ministrat e Ekonomisë dhe Financave nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria dhanë disa çmime.
Ata njëzëri theksuar se qeveritë e kanë për detyrim që t’i shërbejnë biznesit duke iu hequr pengesat dhe lehtësuar sa më shumë kushtet.
“Ky event është një konkretizim i asaj përpjekje që ju dhe ne kemi bërë për të përshirë sipërmarrës nga të gjithë trevat”, u shpreh ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Zv.kryeministrja Senida Mesi e ftuar në këtë mbrëmje deklaroi se:
“Nuk hezitova të marr pjesë në këtë mbrëmje, sepse kjo është një natë e veçantë që jam prezent me sipërmarrjen. Sipërmarrësit janë promotorë të zhvillimit të ekonomisë dhe teknologjisë. Ne duhet të ecim me hapin e tuaj. Është një rast i veçantë, pjesëmarrja e bizneseve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Është një kënaqësi që të gjithë së bashku jemi për elementin e dyte, të festojmë arritjet tuaja. Sipërmarrja është ajo që nxit rritjen ekonomike dhe sipërmarrja punëson dhe rrit mirëqenien. Sipërmarrja kryen edhe pagesa, që qeveria duhet t’i materializojë në shërbime”, tha Mesi.
RTV SCAN i akordoi çmimin “Ekonomisti i Vitit” zotit Selami Xhepa, pas një votimi të zhvilluar në portalin SCAN, si vlerësim për kontributin e dhënë në mendimin ekonomik në vend gjatë këtij viti.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTV SCAN, zonja Elvana Hana i dha çmimin, duke theksuar se janë idetë ato që çojnë përpara zhvillimin e një vendi.
“Në fakt, çmimet natyrisht të gjithë i meritojnë! Por më shumë se gjithçka tjetër janë idetë, ato hapin rrugën. Ne japim gjithmonë çmimin e mendimit ekonomik. Kështu që, ne vlerësojmë shumë atë që të gjithë e kanë vlerësuar njëzëri këtë vit; një ideator të madh, një idealist dhe vizionar, Prof. Dr. Selami Xhepën”, u shpreh drejtuesja e RTV SCAN, Elvana Hana.
“Unë sot dua të bëj vetëm dy përshëndetje. Së pari, dua të përshëndes të gjithë stafin e Televizionit SCAN. Mendoj që po luan një rol shumë të rëndësishëm për të krijuar një kulturë ekonomike te qytetarët shqiptarë. Së dyti, dëshiroj të falënderoj të gjithë komunitetin e biznesit në Shqipëri, t’i përgëzoj për arritjet që kanë pasur gjatë këtij viti, të kenë sukses në familjet e tyre dhe gjithashtu në mënyrë të veçantë përshëndes të gjithë punëtorët që janë të punësuar pranë këtyre bizneseve, sepse është në analizë të fundit edhe kontributi i tyre ai që bën edhe suksesin e këtyre bizneseve”, deklaroi ekonomisti Selami Xhepa.
Arbër Hitaj/SCAN
Mëposhtë video e plotë e eventit të ndarjes së cmimeve për bizneset:
Live nga ceremonia "CCIT Awards 2017"
Posted by RADIO TELEVIZIONI SCAN on Thursday, December 7, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.