Donacionet, impuls për ekonominë – Ekspertët Civici e Xhepa: Të behet kujdes me borxhin publik!
Donacionet, grantet dhe kreditë e ofruara nga ndërkombëtarët për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit, do t’i japin një vrull zhvillimit të ekonomisë duke kompensuar dobësinë e vitit që lam pas si dhe do të zëvendësojnë deri dikur investimet në mungesë. Ekspertët e ekonomisë, Adrian Civici dhe Selami Xhepa, analizojnë për SCAN efektet e injektimit të një sasie të madhe parash në ekonomi.
Megjithatë, ekspertët shprehen se qeveria duhet të jetë e kujdesshme në kufirin e borxhit publik, duke qenë se nga 1.15 miliardë euro të ofruara, 800 milion prej tyre ishin kredi me interesa të favorshme.
Në konferencën e donatorëve të zhvilluar një ditë më parë në Bruksel me qëllim mbledhjen e fondit post tërmetit, afro 350 milionë euro ishin donacione, ndërsa pjesa tjetër kredi të buta dhe grante. Donacionet janë dhurime direkte në para, grantet jepen për projekte për të cilat qeveria shqiptare duhet të aplikojë, ndërsa kreditë e buta, ofrojnë interesa nën ato që aplikohen në tregjet normale.
Ekspertët e ekonomisë shprehen se donacionet dhe kreditë që Shqipëria mundi të mblidhte në konferencën ndërkombëtare, do të shërbejnë si katalizator për rritjen ekonomike, por kërkojnë që të bëhet kujdes me borxhin publik.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.