Drejtuesi i ILD-së, Metani: “900 ankesa për inspektim mbi sistemin e drejtësisë, institucioni ynë i pavarur”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani paraqiti sot misionin e këtij institucioni të ri kushtetues dhe bërë transparencë mbi veprimet e para të marra pas nisjes së detyrës në krye të ILD. Ai tha se ky institucion është totalisht i pavarur nga pushteti ekzekutiv, KLP dhe KLGJ dhe kjo i jep një dimension tjetër profilit të inspektimit.
ILD ka për objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
“Nuk ka pasur nga e kaluara as personel, asgjë, ndaj ky institucion po fillon të ngrihet nga e para. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i ndërgjegjshëm për volumin dhe problematikën e lartë të punës, po aq sa edhe pritshmëritë për të këtë institucion. Dua të siguroj opinionin publik se ILD ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit që cenojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e funksionit në përputhje me ligjin.”
Konkretisht ILD-së do i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore, 2017-2020 pranë KLGJ ose Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu ILD nga data 1 shkurt 2020, datë e cila konsiderohet fillimi i veprimtarisë së këtij institucioni, kanë filluar të vijnë ankesat e para nga persona juridikë apo fizikë. Evidentimi i këtyre ankesave kërkon një analizë të plotë, me qëllim shqyrtimin paraprak për sa i përket kritereve të pranueshmërisë si dhe kryerjen e veprimeve shtesë nëse është e nevojshme apo fillimin disiplinor”, deklaroi kreu i ILD.
Ai foli për tej edhe për ankesat nga Ministria e Drejtësisë, KLGJ dhe KLP për çështjen e lirimeve me kusht parakohe dhe tha se do jenë objekt i inspektimit. Metani foli për një plan masash afatshkurtër për problematikat e konstatuara në raport me përmbushjen e detyrave profesionale të zyrës së ILD dhe identifikimin e çështjeve për të cilat kërkohet një inspektim tematik apo institucional.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.