Drejtuesit e rinj të spitaleve – 6 Tetori afati për dorëzimin e dokumentacionit
“Unë dua që ju të mirëkuptoni të jepni dorëheqjen. Të gjithë drejtuesit e spitaleve rajonale e bashkiake. Është e qartë që largimi juaj menjëherë nesër nga detyra nuk është zgjidhja e këtij problemi por vetëm fillimi i zgjidhjes. Objektivi është autonomia spitalore, por çfarë autonomie spitalore mund të kemi ne në realitet nëse nuk kemi menaxhim të spitaleve. Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët ca lopë i shohin e ca jo, sipas humorit të tyre. Nuk drejtohen siç i bihet fizarmonikës me vesh.”
Nuk kanë kaluar ende dy muaj që nga moment që kryeministri Rama kërkoi dorëheqjen e drejtorëve të spitaleve dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shpallur konkurset për pozicionet drejtuese në spitale. Por edhe pse në takimin e bërë pak kohë më parë me drejtuesit e spitaleve në Kryeministri, Rama ka kërkuar që të përjashtohen drejtuesit e spitaleve në Tiranë, një diferencim i tillë nuk është bërë në njoftimin që bënë ministria për hapjen e konkurseve.
Kështu sipas njoftimit “Për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtuesve të spitaleve universitare dhe spitaleve rajonale”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpall konkursin e hapur për pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm” të spitaleve universitare dhe “Drejtor” të spitaleve rajonale.
Konkursi shpallet për spitalet Universitare si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitari Traumës, Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koco Gliozheni”,Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” si dhe për spitalet rajonale. Ministria njofton për dokumentacionin që nevojitet për t’u bërë pjesëmarrës në konkurs si dhe afatin për dorëzimin e tyre. Të interesuarit për garën do të kenë mundësi që të depozitojnë dokumentacionin e tyre deri më 6 tetor të 2017.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.