Dyfishohet Fondi për Komunitetin – Veliaj: Banorët të bëhen bashkë për të zgjedhur administratorin
Banorët e një tjetër lagje në kryeqytet shfrytëzuan mundësinë e ofruar nga Bashkia e Tiranës për të rikonstruktuar pallatin e tyre përmes Fondit të Komuniteteve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi një pallat parafabrikat në rrugën “Njiazi Meka” Njësinë 4, i cili u rikonstruktua nga komuniteti i banorëve, në bashkëpunim me bashkinë. Ky është pallati i shtatë që përfiton nga projekti i Bashkisë së Tiranës për bashkëfinancimin e projekteve infrastrukturore që adresojnë një problem të caktuar për komunitetin.
“Falë ndërhyrjeve në pallatet ekzistuese, banorët përfitojnë jo vetëm një pallat estetikisht më të mirë, por njëkohësisht ulin shpenzimet mujore, pasi do të harxhojnë më pak për ngrohje. Automatikisht ulet 1/3 e shpenzimeve të energjisë elektrike. Është një shpenzim që lan veten sepse të kursen faturën. Jo vetëm kaq, por shtohet vlera e pallatit. Mjafton të krahasosh një pallat parafabrikat të paprekur, me një pallat parafabrikat të sapo veshur me kapotë; edhe estetikisht rritet vlera e pronës. Është i njëjti pallat, por ama, vetëm fakti që duket ndryshe, dhe ka këto shpenzime të kursyera, e bën një pallat më të vlefshëm”, shtoi ai.
Kryebashkiaku theksoi se është e domosdoshme që pallatet të zgjedhin kryesitë dhe administratorët e tyre. Veliaj ftoi banorët e pallateve që ende nuk e kanë përfunduar procesin e zgjedhjes së administratorit, ta bëjnë sa më parë, pasi do jetë pikërisht ai që duhet të bëjë aplikimin për të përfituar nga Fondi i Komunitetit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.