Efektet e Eurobondit në ekonomi – Ekspertët: Rrezik borxhi në rritje, vendimtare mënyra si përdoret
Qeveria ka marrë hua në tregjet e huaja 650 milionë euro përmes emetimit të eurobondit të ri me normë interesi 3.62 për qind dhe afat maturimi 7-vjeçar. Në një intervistë për TV SCAN, ekspertët e ekonomisë, Adrian Civici dhe Selami Xhepa, shprehen se kushtet e borxhit të ri janë të favorshme në situatën që ndodhet vendi dhe tregjet financiare dhe se kjo ishte një lëvizje e detyruar e qeverisë për të rimëkëmbur ekonominë, pas dy goditjeve të njëpasnjëshme. Por ndërsa analizojnë efektet, ekspertët shprehen se rrezik është borxhi në rritje, përtej çdo lloj parashikimi.
Nga ana tjetër ekspertët shprehen se duke qenë se 400 milionë euro do të përdoren për rimëkëmbjen e ekonomisë, nëse ky borxh menaxhohet me sukses dhe shkon atje ku janë nevojat më të mëdha, do të ketë efekte pozitive në ekonomi.
Kjo është shuma më e lartë e borxhit që qeveria ka marrë në tregjet ndërkombëtare, ku 250 milionë euro pritet të shkojnë për rifinancimin e bondit të vjetër. Në vitin 2018, qeveria arriti të sigurojë një hua prej 500 milionë euro.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.