Ekskluzive/SCAN zbardh tabelat, buxheti i detajuar 2019 – Si ndahet “torta” e parave tek institucionet
Të ardhurat në buxhet për vitin e ardhshëm janë parashikuar në 486 miliardë lekë, shpenzimet rreth 519 miliardë lekë dhe deficiti tregtar rreth 33 miliardë lekë. Po cilat janë institucionet që marrin më shumë para? SCAN ka siguruar buxhetin e detajuar për vitin e ardhshëm, ku vihet re se Ministria e Shëndetësisë do të marrë më shumë fonde se të gjitha institucionet e tjera publike, konkretisht rreth 60.9 miliardë lekë. Por pavarësisht kësaj, rritja në krahasim me buxhetin e këtij viti është vetëm 2.4 miliardë lekë.
Ministria e Financave po ashtu ka marrë një pjesë të konsiderueshme fondesh, dhe renditet menjëherë pas Shëndetësisë me 58.3 miliardë lekë, apo 2,3 miliardë më shumë se buxheti aktual. Po ashtu, fonde të majme në dukje janë akorduar edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, me rreth 46.9 miliardë lekë, por krahasimisht me vitin aktual, këtij institucioni i janë hequr rreth 2 miliardë lekë, çka tregon se buxheti për investime në infrastrukturë është shkurtuar.
Ulje fondesh me rreth 1 miliardë lekë është bërë edhe për Ministrinë e Arsimit, të cilës i jepen 38 miliardë lekë. Megjithëse një ndër sektorët më të keqfinancuar, për bujqësinë është bërë një rritje modeste fondesh me 0.3 miliardë lekë, me një buxhet total prej 10.8 miliardë lekë. Ministria e e Mbrojtjes do të ketë një buxhet total prej 21 miliardë lekësh, apo 1 miliardë më shumë, Ministria e Brendshme 1 miliardë lekë më pak, në total 20 miliardë lekë, ndërsa për Ministrinë e Drejtësisë është akorduar një buxhet në rritje me 2 miliardë lekë, ku në total do të ketë 12.4 miliardë.
Ministritë më të keqfinancuara, janë Ministria e Punëve të Jashtme me 3 miliardë lekë dhe Ministria e Kulturës me 2.1 miliardë lekë, duke ruajtur thuajse nivel të njëjtë buxheti me vitin aktual. Edhe për Kuvendin dhe Kryeministrinë është ruajtur nivel thuajse i njëjtë financimi.
Ministria e Shëndetësisë 60.9 mld lekë
Ministria e Financave 58.3 mld lekë
Ministria e Infrastrukturës 46.9 mld lekë
Ministria e Arsimit 38 mld lekë
Ministria e Bujqësisë 10.8 mld lekë
Ministria e Mbrojtjes 21 mld lekë
Ministria e Brendshme 20 mld lekë
Ministria e Drejtësisë 12.4 mld lekë
Ministria e Punëve të Jashtme 3 mld lekë
Ministria e Kulturës 2.1 mld lekë
Elisabeta Dosku/SCAN
Për më shumë informacion:
1 mld lekë më shumë për bashkitë – Buxheti/ Tirana më e “përkëdhelura”, Pusteci mbetet i fundit
Cilat janë 44 investimet e reja të parashikuara nga Ministria e Infrastrukturës në 2019? Lista e tabelat e detajuara të buxhetit 2019
Lista e 37 investimeve të reja të Ministrisë së Financave për vitin 2019! Doganat përfitueset kryesore, investohet në teknologji e kontroll
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.