Ekskluzive/“Moody`s” për Shqipërinë – Vlerësimi në B1, angazhimi politik dhe investimet, rreziqet kyç
Gjigandi botëror i vlerësimeve, Moody`s, nuk ka ndryshuar mendim për notën e vlerësimit të borxhit sovran të Shqipërisë. Vlerësimi mbetet i pandryshuar në B1 me perspektivë të qëndrueshme, thuhet në analizën e kreditit për vendin tonë, një raport i zgjeruar që publikohet një herë në vit, e që është siguruar ekskluzivisht nga Scan.
Që në fillim të raportit, aty ku analizohet edhe profili i kreditit të Shqipërisë, Moody`s flet për sfida ekonomike strukturore, forcë të kufizuar institucionale, një ekonomi që operon nën potencial, por edhe për konsolidim të kënaqshëm fiskal si dhe progres me reformat strukturore.
Më tej, kur flitet për borxhin publik, Moody`s thekson se është në rënie, por se nga ana tjetër, nevojat për financim të qeverisë shqiptare vijojnë të mbeten mjaft të larta, madje edhe mbi ato të vendeve që kanë të njëjtin vlerësim me ne.
Rënia e borxhit si dhe forcimi i institucioneve, që për rrjedhojë do të përmirësojë edhe klimën e biznesit si dhe konkurrueshmërinë, janë dy faktorët kyç që mund të çojnë në rritjen e notës për vendin tonë.
Kjo përkthehet në kosto më të ulta financimi. Nga krahu i kundërt, borxhi sovran do të zhvlerësohej në rast se, qeveria do t`i shmangej rregullimit fiskal, do të dështonte me borxhin publik, apo do të shfaqte angazhim jo të mjaftueshëm në axhendën ekonomike dhe institucionale.
Por, ajo që shqetëson më shumë, është fakti se, Moody`s paralajmëron për një zhvlerësim të borxhit edhe në rast se do të vihej re një rënie e Investimeve të huaja direkte. Diçka e tillë është paralajmëruar se do të ndodhë si nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe nga Komisioni Europian.
Vlerësimi i borxhit të një vendi bëhet mbi bazën e katër shtyllave kryesore; forca ekonomike, ajo institucionale, ajo fiskale si dhe risqet, dhe secila prej këtyre katër shtyllave merr një vlerësim më vete. Notën më të lartë e merr ajo që i referohet risqeve, ndërsa notën më të ulët e merr ajo që i referohet forcës fiskale.
Ndër të tjera, Moody`s flet për një përmirësim të klimës së biznesit pas zgjedhjeve të Korrikut si dhe progres në implementimin e reformës në drejtësi, dy aspekte kyçe të rritjes së notës për Shqipërinë.
Sa i përket projeksioneve të rritjes ekonomike ndërkohë, ato mbeten pranë 3.6% për këtë vit, dhe 3.8% për vitin e ardhshëm, nën projeksionet e qeverisë, Fondit Monetar Ndërkombëtar apo Komisionit europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.