Eksperienca e klientëve në degë në fokus të Drejtuesve Ekzekutivë të Credins Bank
Implementimi i programit për rritjen e efektshmërisë së forcës shitëse, që nisi si një projekt pilot para katër vitesh në Credins Bank, është shtrirë tashmë në të gjithë rrjetin e degëve, duke kontribuar në një kulturë të re komunikimi me klientin dhe në rritjen e reputacionit të bankës.
Ky program ka ndryshuar përqasjen me klientin, ka rritur proaktivitetin dhe çka është shumë e rëndësishme, ka ndikuar ndjeshëm në klimën e brendshme të stafit. Pavarësisht stepjes në fillim nga ky projekt, gradualisht, rezultatet e matshme treguan se mund ta bëjnë edhe punën të matshme, duke vlerësuar individin, duke nxitur punën në ekip, dhe duke sjellë përmirësim të vazhdueshëm në Credins bank. Programi është shoqëruar me skema të reja incentivimi, por dhe me një dialog intensiv midis stafit në degë me Drejtuesit e Lartë.
“Një kafe në Credins” është një format takimesh jo-formale me pjesëmarrjen e Drejtuesve Ekzekutive të bankës, ku, në një bisedë të lirë me shitësit më të mirë të Credins, identifikohen arritjet, përcillet feedback mbi pritshmëritë e klientëve por dhe konstatohen vështirësitë e nevojat për përmirësime të sistemeve, logjistikës, produkteve e kështu me rradhë.
Gjatë bashkëbisedimit të djeshëm me Drejtorin e Përgjithshëm, zotin Maltin Korkuti, stafi u shpreh se ky projekt jo vetëm ka sjellë rritjen e ndërgjegjësimit por ka rritur edhe ambicien në punë për rezultate të mëtejshme. Drejtori nga ana i tij i informoi punonjësit se fokusi i bankës, në përputhje me zhvillimin teknologjik, është krijimi i një atmosfere sa me pozitive për klientin dhe optimizimi i marrëdhënies klient – bankë përmes dixhitalizimit të produkteve dhe automatizimit të mëtejshëm të proceseve të punës.
Efekti kryesor që synohet nga kjo përqasje është t’i japë stafit në degë më shumë kohë dhe mundësi për të dëgjuar dhe kuptuar nevojat e klientit, duke i bëre klientët ta përjetojnë në mënyre sa më pozitive eksperiencën e tyre në bankë e ta konsiderojnë Credins partnerin e rrugëtimit të tyre të suksesit.
Takimi u mbyll me ndarjen e çmimeve për shitësit më të mirë, fitues të një udhëtimi turistik.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.