Embargo ndaj Kubës, 189 vota pro heqjes! Mes tyre edhe Shqipëria!
Me një total prej 189 votash pro, Kombet e Bashkuara votuan për heqjen e embargos së Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës. Ky vendim, që mori vetëm votën kundër të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, detyron këtë të fundit të tërhiqet nga embargoja dhe çdo formë tjetër që cënon tregtinë e lirë. Shqipëria renditet në listën e vendeve të OKB-së që votuan pro.
“SHBA-të duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të zhbërë të gjitha masat dhe kufizimet e vendosura, sa më shpejt që të jetë e mundur”, u deklarua pas përfundimit të Asamblesë.
Ndërkaq, ministri i jashtëm kubanez Bruno Rodriguez Parrilla, nënvizoi pasojat e mëdha që këto kufizime i kanë shkaktuar ekonomisë së vendit, sidomos përsa iu përket medikamenteve jetësore. “Dëm iI paimagjinueshëm i është shkaktuar popullit kubanez nga kjo bllokadë, e cila arrin në kufijtë e një gjenocidi. Është gjithashtu një shkelje e të drejtave të njeriut”, shprehu Parrilla.
Nga ana tjetër, ambasadorja e SHBA-ve, Nikki Haley, tha se ky vendim nuk ndryshon asgjë në problemet me të cilat po përballet populli i Kubës. “ Ne do vazhdojmë të qëndrojmë përkrah tyre, deri në momentin kur tiu kthehen të drejtat dhe liritë kryesore. Nuk do dorëzohemi”, theksoi Haley.
Embargoja e shtetit amerikan ndaj atij kubanez, e quajtur ndryshe “el bloqueo”, e ka zanafillën në 14 mars të vitit 1958, gjatë regjimit të Fulgencio Batista. Në vitin 1962, embargoja u shtri dhe në eksportin e ushqimeve dhe medikamenteve duke kufizuar kështu thuajse çdo marrëdhënie ekonomike, financiare dhe tregtare të Kubës. Këto masa u morën me qëllim rivendosjen e demokracisë në vend dhe respektimin e të drejtave njerëzore, mirëpo që prej vitit 1992, Kombet e Bashkuara propozonin çdo vit rezolutën që dënonte këtë embargo deri ditën e djeshme, kur u votua kundër saj.
Burimi: United Nations, Website zyrtar/ Përshtati në shqip: Ergisa Bejkollari/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.