Fëmijët në konflikt me ligjin – Nënshkruhet marrëveshja, do të trajtohen në 5 qendra sociale të Tiranës
Duke nisur nga dita e sotme, të miturit e kryeqytetit me probleme me ligjin do të trajtohen jashtë institucioneve të mbyllura. Me marrëveshjen e re të firmosur sot nga kryebashkiaku, Erion Veliaj dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ata do të trajtohen pranë komunitetit të tyre duke u angazhuar në programe të posaçme socializuese në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës.
Sipas Veliaj, kjo nismë do të sjellë një metodë të re në rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin.
“Të rinjtë që ju do të referoni në shërbimet tona nuk do të jenë pjesë e ndonjë institucioni, jo të disa kangjellave, as të një hapësire me katër mure, por të një përvoje që fillon nga socializimi me këshilltarë e psikologë, tek puna me drejtues dhe mentorë në komunitet, që mund t’i përfshijnë në punë të tjera komunitare”, tha Veliaj.
Ndërkohë, ministrja Gjonaj u shpreh se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, Tirana bëhet qyteti i parë që mundëson infrastrukturën e duhur për këtë risi, e cila vlen jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Për herë të parë të miturit në kontakt me organet e drejtësisë trajtohen jashtë institucioneve të mbyllura, jashtë burgjeve, por në mjedise miqësore, ku do të kenë mundësi të korrigjohen, këshillohen, informohen dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar”, u shpreh ministrja.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar sot, Bashkia e Tiranës do të vërë në dispoozicion të trajtimit dhe rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin 5 qendra sociale multifunksionale si dhe stafin e saj të punonjësve të njësive për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, punonjësve socialë dhe psikologëve. Ndërkohë, nga ana tjetër Ministria e Drejtësisë do të nisë menjëherë nga puna me procesin e referimit të fëmijëve me probleme me ligjin.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.