Financimi i PPP-ve të rrugëve – Deputetët: Skema e përzgjedhur rrit 25% kostot
Gjatë diskutimeve në komisionin e Ekonomisë, deputetët e opozitës kritikuan skemën e financimit të përzgjedhur nga qeveria në 2 kontratat e partneriteti publik privat për Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Sipas tyre, skema, ku është përfshirja marrja e kredive nga bankat rrit me 25% kostot e projektit.
Akuza pati edhe për kapacitetet financiare të kompanisë ANK shpk, që do të ndërtojë aksin Milot-Balldren.
Sipas Shkrelit kompania ka një kapital fillestar prej 8.5 mln euro, të depozituar në 2 banka, çka sipas tij përmbush kushtet.
Sipas kontratës, struktura e financimit për Milot-Balldren parashikon marrjen e një huaje bankare prej 70,000,000 euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro.
Ndërkaq, për aksin Orikum-Dukat, do të investohet nga kapitali i shoqërisë shuma prej 21 771 548 euro dhe një hua bankare prej 25 585 166 euro, e cila gjithashtu do të merret nga një ose më shumë institucione financiare.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.