Financimi i zhvillimit rural – Rrapaj: Presim transparencë dhe rezultate konkrete
Iniciativat e qeverisë dhe specifikisht të Ministrisë së Bujqësisë, për programin “100 fshatrat” dhe zhvillimin e agroturizmit, janë vlerësuar si tejet pozivitive nga Këshilli Agrobiznesit Shqiptar, por ndërkohë priten rezultate konkrete dhe një kohë me e shkurtër për tu realizuar. Kryetari i Këshillit të KASH, Agim Rrapaj, i ftuar në studion e TV SCAN, thekson se edhe në këtë proces kërkohet transparencë, ndërsa bën me dije se impakti në ekonominë rurale pritet të jetë i lartë.
“Nuk është vetëm qeveria ajo që mund të realizojë këtë model e vetme. Është edhe sektori privat ai që mund ta mbështesë fuqishëm, nëse bindet që ky model është modeli që ne presim. Por për ta realizuar këtë, për ta bërë këtë bindëse, është e nevojshme që gjithë kjo procedurë të bëhet transparente. Pra, Ministria e Bujqësisë tashmë të bëjë modelin transparent dhe të përcaktojë realisht si do të ndërhyjë në 100 fshatra për të bërë pastaj edhe përgjithësimin në të gjitha fshatrat e tjera”, tha Rrapaj.
Ndërsa qeveria ka miratuar standardet për bizneset që operojnë në fushën e agroturizmit, është në proces edhe paketa për agrobizneset. KASH ka disa propozime që duhet të përfshihen në të.
“Propozimi i parë i joni ka të bëjë me shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, ka të bëje me kooperimin. Kooperimi është i lidhur ngushtë me luftën kundër informalitetit. Ky është propozimi i parë, që është i lidhur me SHBB-të që folëm. Propozimi i dytë ka të bëjë me mekanizimin. Ne kemi një moment mjaft delikat, kemi një mekanikë bujqësore tejet të amortizuar, të vjetër, jashtë kohe dhe që nuk i shërben me atë kosto që kërkohet sot fermerit. Sot kërkohet mbështetje, por më saktë kërkohet tërheqje vëmëndjeje”, shtoi Rrapaj.
Zhvillimi rural dhe agrotuzimi janë ndër prioritet kryesore të Ministrisë së Bujqësisë, për shkak të potencialit të lartë që ofrojnë dhe nevojës për investime.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.