FMN paralajmëron për fondet e rindërtimit: “Të ndalen tenderët e kufizuar dhe të rriten kontrollet mbi fondet”
Fondi Monetar Ndërkombëtar i jep një rëndësi të veçantë edhe financave publike në vendin tonë, pas përfundimit të misionit të fundit me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Theksi vihet kryesisht te skemat e partneritetit publik privat (PPP) si dhe te rindërtimit. “Një strategji e shëndoshë afatmesme për të ardhurat duhet të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ecja përpara me këtë reformë të kahershme duhet të ndihmojë gjithashtu në krijimin e burimeve të nevojshme për të arritur objektivat e zhvillimit të Shqipërisë”-nënvizon institucioni. “Reforma të tjera prioritare që duhet të ndiqen me më shumë këmbëngulje, përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, veçanërisht nga partneriteti privat publik, ndërmarrjet shtetërore dhe garancitë qeveritare.
Së fundmi, ndonëse e justifikueshme menjëherë pas tërmetit, përdorimi i procedurave të kufizuara në tenderat për rindërtim duhet të ndërpriten, dhe fondet e rindërtimit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve adekuate të menaxhimit të financave publike”-thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke e vënë theksin te transparenca dhe kontrollet mbi fondet e rindërtimit.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.