FMN: Shqipëria të ulë borxhin publik – Momenti i mirë ekonomik mund të mos zgjasë shumë
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur misionin e parë të monitorimit që zhvillon pas përfundimit të programit me qeverinë shqiptare. Në përfundim të vizitës së zhvilluar gjatë periudhës 7-20 mars, delegacioni i kryesuar nga Anita Tuladhar vlerëson momentin pozitiv që Shqipëria po gëzon në aspektin politik dhe makroekonomik.
“Politikë-bërësit do të duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë të mirë për të çuar më tej reformat për zbutjen e risqeve që lindin nga borxhi i lartë publik dhe detyrimet e kushtëzuara dhe nga kreditë nën standard në sektorin financiar; dhe për ta fuqizuar potencialin e rritjes afatmesme kundrejt një klime të vështirë për investimet me nivel të lartë informaliteti dhe sundim të dobët të shtetit ligjor. Prioritetet kyçe janë: çuarja përpara e konsolidimit fiskal; rritja e efikasitetit të shpenzimeve të investimeve publike; fuqizimi i kuadrit institucional për mbikëqyrjen bankare dhe zgjidhjen e kredive nën standard; dhe heqja e pengesave në mjedisin e biznesit/investimeve nëpërmjet reformave në gjyqësor dhe kundër korrupsionit”, shprehet FMN në deklaratën përmbyllëse.
Sipas Fondit përpjekjet në drejtimet e mësipërme do të krijojnë mundësi të reja për rritje, që do të përshpejtojnë procesin e integrimit të vendit në BE.
Megjithatë, sipas misionit, ky moment i mirë mund të mos zgjasë shumë. Rreziqet më të mëdha që mund të cënojnë ekonominë e vendit është një ngadalësim i rritjes në Bashkimin Europian, risku global i tregjeve financiare, por edhe faktorë të brendshëm si borxhi publik i lartë, sistemi bankar vendas i rënduar nga kredi të mëdha nën standard, kushtet e këqija të motit dhe progresi i pamjaftueshëm në reformën në drejtësi.
FMN rekomandon ndjekjen e një objektivi më ambicioz për deficitin fiskal. Misioni ka ripërsëritur gjithashtu rreziqet e programit aktual të investime me kontrata PPP. Fondi vlerëson se praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eliminohet, pra qeveria duhet të financojë vetëm ato investime që i konsideron të nevojshme dhe jo të presë propozime të reja nga privati.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.