[FOTO] Transformimi i piramidës/Prezantohet projekti, Veliaj: Qendër IT për të rinjtë. Rama: Modeli më i mirë
Bashkia e Tiranës ka prezantuar projektin për transformimin e piramidës, nga një godinë e degraduar në një qendër të teknologjisë dhe inovacionit për të rinjtë.
Gjatë prezantimit, kryebashkiaku Erion Veliaj përgëzoi arkitektët, duke vënë në dukje transformimin rrënjësor të ndërtesës aktuale.
“Sot kemi një pyetje themelore për t’iu përgjigjur njëri-tjetrit dhe komunitetit ku shërbejmë. Ne do vazhdojmë të jemi operatorët kryesorë të këmishave dhe këpucëve për Europën perëndimore, apo ndoshta ka ardhur momenti që ne të reflektojmë po dhe të bëjmë diçka? Se si do ngremë gjithë kombin tonë, po duke filluar nga Tirana dhe rinia e Tiranës, në një kategori tjetër. Për një ndërtesë që tashmë qëndron, që është pjesë ikonë e qytetit, që i ka themelet, që i ka binarët kryesisht në gjendje të shëndoshë dhe me këto ndërhyrje që arkitektët propozuan mund ta kthejmë në një gjendje shumë të mirë.
Në Tiranë ne do të fillojmë të kodojmë, do të fillojmë të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, me software dizajn dhe me gjithë programet që ju dëgjuat nga miqtë tanë nga Armenia , nga mosha 5 vjeç deri në moshën 35 apo 45 vjeç”, tha Veliaj.
I pranishëm të aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi projektin si plotësim të ëndrrës së tij në kohën kur ishte kryetar bashkie. Sipas Ramës, kjo qendër është modeli më i mirë që bën bashkë fëmijët me inovacionin.
“Është diçka e jashtëzakonshme, është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën: fëmijët dhe teknologjinë. Arrin të bëjë bashkë duke u dhënë në njëfarë mënyre mundësi fëmijëve jo thjesht të mësojnë të përdorin teknologjinë, por për t’ju dhënë mundësi që të orientohen”, u shpreh Rama.
Projekti i transformimit të piramidës do të financohet nga Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.