“Ftohen” fqinjët – Vizitorët e huaj, 10% më pak për janarin
Vizitat e shtetasve të huaj në Shqipëri pësuan një rënie të ndjeshme me gati 10% në muajin janar. Instat raporton se në muajin e parë të këtij viti Shqipërinë e vizituan 209 mijë shtetas të huaj. Rënia e numrit të vizitorëve është e lidhur sidomos me vendet fqinje. Kështu, numri i vizitave nga Kosova dhe Maqedonia pësoi rënie me 19%, nga Mali i Zi me 8%, ndërsa nga Greqia me 2.5%.
Ndryshe nga viti i kaluar, viti 2019 ka nisur me rënie në shifrat e turizmit hyrës, megjithatë është herët për të kuptuar nëse turizmi hyrës do të frenojë pas disa vitesh radhazi në rritje. Nga ana tjetër, muajt e parë të vitit kanë një peshë më të ulët specifike në bilancin vjetor të turizmit. Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan afro gjashtë milionë shtetas të huaj, që është edhe numri më i lartë i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë.
Burimi: Instat
Ndërkohë që vizitat e shtetasve të huaj ranë, ato të shqiptarëve jashtë vendit u rritën sërish për muajin janar. Sipas Instat, numri i daljeve në kufi të shtetasve shqiptarë arriti në 454 mijë, në rritje me 1.3% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.