Gati 20 milionë lekë gjoba gjatë Majit – ISHSH merr masa administrative për shkeljet
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka njoftuar për vijimin e punës intensive në terren duke thënë se vetëm gjatë periudhës 1 – 26 maj 2019 ka kryer 1693 inspektime dhe 219 ri-inspektime.
Sipas njoftimit, Strukturat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në të gjithë vendin për shkeljet e gjetura kanë vendosur 131 Masa Administrative me gjoba, 6 Vendime të Ndërmjetëm për Mbyllje të Përkohshme të Aktivitetit dhe janë bërë 243 Paralajmërime dhe lënie detyrash.
ISHSH tha se masat administrative janë vendosur për shkelje tё rregullave higjieno sanitare, pirje të duhanit në ambiente publike, shitje të alkoolit dhe pijeve energjike për të miturit, mungesë të dokumentacionit higjeno- sanitare, mungesë të licencës për ushtrimin e aktivitetit, ngarkesë mikrobiale të ujit të pijshëm, pengim inspektimi, duke kapur vlerën e 19 950 000 Lekë.
Sipas njoftimit gjatë kësaj periudhe janë vendosur : 52 masa për moszbatim tё Ligjit nr. 9636 “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”; 59 masa për moszbatim tё Ligjit 9518 “Për mbrojtjen e të miturve nga alkooli, pijet energjike dhe pijet e gazuara me sheqer të shtuar” dhe 20 masa për mosrespektim kushtesh higjenosanitare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.