Gazsjellësi TAP – Zv. ministri Aliko: Seksioni i tij në Shqipëri do të jetë gati në kohë
Përparimi i ndërtimit të gazsjellësit Trans Adriatik, TAP në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe po ecën me një ritëm të shpejtë, tha zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enis Aliko për agjencinë e lajmeve ‘Trend News Agency.’
Ai vuri në dukje se gjatë muajve të fundit, TAP nuk ka pasur asnjë kërkesë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, çka nënkupton se ndërtimi i tij po vijon pa probleme.
“Ne jemi të bindur se kjo pjesë e gazsjellësit do të përfundojë në kohë, nëse jo para afatit”, tha zëvendësministri Aliko.
Ndërkohë, lidhur me krijimin e ndërmarrjes së përbashkët midis operatorit shqiptar të infrastrukturës së gazit Albgaz dhe atij italian SNAM për mirëmbajtjen e TAP në territorin e Shqipërisë, Aliko tha se do të krijohet sapo të finalizohet marrëveshja e mirëmbajtjes me TAP.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.