Gjobat për taksat e automjeteve – Paketa fiskale/ Ulet “barra” për makinat luksoze
Në paketën fiskale 2020 qeveria ka parashikuar të bëjë disa ndryshime sa i takon uljes së taksimit të automjeteve luksoze, por penaliteteve në rastet e mospagesë në kohë së taksës vjetore të mjeteve të përdorura.
Sipas projektligjit të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëse pronari i mjeti nuk kryen pagesën brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, nuk do të paguajë më gjobë në vlerën e 5% e shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, dhe jo më shumë se por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit, por do të paguajë 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë, gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, duke hequr kufizimin maksimal të penalitetit.
Gjithashtu, në këtë pikë është rritur dhe përqindja e të ardhurave që do ti kalojë buxhetit të qeverisë vendore nga kjo taksë, nga 18 që është aktualisht në 25. Ndërkaq, për automjetet luksoze, është menduar të krijohen lehtësira, përmes amortizimit të vlerës së tyre me 10 për qind çdo vit. .
Në draft-ligj përcaktohet se “vlera e mjetit për efekt të klasifikimit “Automjet luksoz” reduktohet çdo vit me 10 % të vlerës së mbetur”.
“Për automjetet të cilat shiten, vlera e shitjes së tyre për efekt klasifikimi si “Automjet luksoz”, nuk mund të jetë më e vogël se vlera e mjetit të amortizuar sipas paragrafit të mësipërm”. Sipas ligjit në fuqi, automjet luksoz konsiderohet auto vetura deri në 6 +1, e cila ka cilindratë më të madhe se 3 mijë cm3 ose çmim të barabartë ose më shumë se 5 milionë lekë.
Sipas projektligjit është parashikuar të rritet komisioni që përfitojnë agjentët e taksave në 5 për qind, nga 0 që është aktualisht, për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi më 1 Janar 2020.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.