Gjobitet “SGS Albania” – 51 mln lekë për abuzim me pozitën dominuese
Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë koncesionare të kontrollit teknik të automjeteve, SGS Automotive Albania, për abuzim me pozitën dominuese. Gjoba ka vlerën e 5.69% të xhiros së vitit financiar paraardhës ose afërsisht 51 milionë lekë.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, SGS ka abuzuar me pozitën e vet monopoliste, duke mos ofruar kapacitete të mjaftueshme për ofrimin e shërbimit dhe kjo ka sjellë radhë të gjata për drejtuesit e mjeteve, sidomos në periudha të veçanta të vitit.
Koncesionari nuk ka vënë asnjëherë në përdorim qendrat e kontrollit teknik të lëvizshëm, as në periudhat e flukseve maksimale, siç është fundi i vitit kalendarik.
Gjithashtu, kjo kompani, në mënyrë arbitrare, i detyron klientët të nënshkruajnë një deklaratë-tip, ku SGS heq dorë nga çdo përgjegjësi që mund t’i shkaktohet mjetit gjatë kontrollit teknik.
Megjithëse Autoriteti i Konkurrencës kishte kërkuar ndryshimin e përmbajtjes së deklaratës, kompania SGS nuk e ka marrë aspak në konsideratë rekomandimin dhe vazhdon t’i detyrojë klientët ta nënshkruajnë atë, pa asnjë ndryshim.
Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar të ndalojë shkeljen e konkurrencës përmes formave të mësipërme brenda 45 ditëve.
Gjithashtu, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i rekomandohet që tregu në fjalë të liberalizohet, duke licencuar edhe operatorët të tjerë për ofrimin e shërbimit.
Ndërkohë, për afatin e mbetur të koncesionit, rekomandohet të miratohet një rregullore për funksionimin dhe monitorimin e këtij koncesioni.
Ersuin Shehu/SCAN
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës: http://www.caa.gov.al/cases/read/id/87
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.