Gjykata Kushtetuese bosh – Kuvendi hap garën për plotësimin e vakancës së Bashkim Dedjas
Shkarkimi nga apeli i Vetting-ut i Kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja ka detyruar Kuvendin të hapë menjëherë garën për plotësimin e kësaj vakance. Përmes një deklarate zyrtare, Kuvendi fton kandidatët e mundshëm të bëhen pjesë e kësaj gare, duke publikuar edhe kushtet e kriteret që duhet të përmbushen për t’u bërë pjesë e saj.
Një prej kushteve kryesorë është që kandidati duhet të ketë kaluar me sukses Vetting-un, ndërkohë që ndaj tij nuk duhet të ekzistojnë dënime penale, masa disiplinore, apo përfshirje në veprimtari e poste politike 10 vitet e fundit. Kandidati gjithashtu duhet të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike, ashtu si dhe një mesatare shkollore jo më pak se 8.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Për momentin, Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtar aktiv, duke qenë se edhe Vitore Tusha, e vetmja që i mbijetoi Vetting-ut, është me mandat të përfunduar. Vetë Dedja, u shkarkua pak ditë më parë nga apeli i Vetting-ut, pasi arriti fillimisht të konfirmohej në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.