Gripi dhe viruset, në pik – Manastirliu: 4 qendra shëndetësore 24 orëshe, presin 2500 raste çdo javë
Shqipëria ndodhet në intensitet shumë të lartë të gripit, ndërkohë që rastet janë rritur me 4% në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Të dhënat u bënë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Ministrja tha se për të përballuar fluksin në rritje të personave të prekur edhe nga infeksionet respiratore, që kanë shënuar rritje me 25%, janë hapur 4 qendra 24 orëshe, të cilat presin nga 2500 raste në javë.
Manastirliu raportoi edhe për situatën e koronavirusit të ri, duke theksuar se në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të prekur, por gjithsesi janë marrë masat e nevojshme, ndërsa brenda datës 15 shkurt do të mundësohet analiza e plotë pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Manastirliu tha se është forcuar survejanca aktive për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, ndërsa rikonfirmoi se në Shqipëri janë testuar 5 raste, të cilat kanë rezultuar negative.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.