Hajnaj takon kreun e SPAK Javën tjetër nis procesi i përzgjedhjes së 60 hetuesve të BKH, do hetojnë korrupsionin e krimin
Një ditë pasi mori zyrtarisht detyrën, Kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja si dhe me 12 prokurorët e strukturës së posaçme kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.
Sfida e parë e zonjës Hajnaj është miratimi i rregullores mbi të cilën do zhvillohet gara për hetuesit e BKH. Pas takimeve pritet që javën e ardhshme të hapet gara për 60 hetuesit e BKH që do jenë krahu operativ i SPAK që do të mbulojë hetimet në terren.
Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është institucion i ri, i pavarur dhe i pa politizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjek penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.
Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në Amerikanë e cila heton krimet të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyr trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.