HEC Koman – KESH shpall tenderin. Fondi 232 milionë lekë
KESH ka shpallur tenderin me fond 232 milionë lekë për mbilartësimin dhe ndërtimin e pritave malore në përroin e Lerinit dhe Bugjonit në hidrocentralin e Komanit.
Ky projekt në fakt, është vijimësi e projektit të mëparshëm me planin ekonomik të vitit 2019. Investimi do të shkojë në funksion të përmirësimit të eficencës për reduktimin e shkarkimit të prurjeve të ngurta në liqen.
“Duhet theksuar se në rrjedhën e poshtme në derdhje në liqenin e Komanit pjerrësia e shtratit ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme si rezultat i grumbullimit të prurjeve të ngurta në deltën e shkarkimit në këtë liqen. Kuota e shkarkimit në liqenin e Komanit është ngritur deri rreth kuotës 175-176 m duke ndikuar edhe në zvogëlimin e pjerrësisë natyrale të shtratit të përroit” specifikohet në dokumentacionin bashkangjitur tenderit.
Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë I hapur deri më 24 nëntor, me një afat kohor ekzekutimi prej 15 muajsh, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.