Hoteleria, potencial biznesi – Rriten lejet e ndërtimit për hotele, në 6 muaj, sa në tre vite bashkë
Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti janë dhënë leje ndërtimi për hotele thuajse sa në tre vitet e fundit të marra së bashku. Të dhënat e Instat flasin kështu për një boom të biznesit të hotelerisë, sidomos në tremujorin e dytë të vitit, kur janë dhënë 12 leje ndërtimi në kategorinë e hoteleve.
Në tremujorin e parë të vitit ndërkohë, sipas Instat janë dhënë 5 leje ndërtimi për hotele.
Në vitin 2016 në tërësi janë dhënë më pak leje ndërtimi se në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërkohë që në vitet 2016, 2015 dhe 2014 të marra sëbashku janë dhënë në total 18 leje ndërtimi për hotele.
Duket se tendenca është e qartë, dhe se tregu po i përshtatet kërkesës. Në sektorin e hotelerisë, kërkesa është bindshëm më e lartë se oferta, duke shkaktuar një situatë aspak pozitive në një kohë që turizmi duket se po njeh një periudhë “bumi”.
Kjo situatë, nga ana tjetër, ka krijuar edhe një mundësi të artë biznesi. Hoteleria përfaqëson aktualisht një potencial mjaft të lartë shfrytëzimi për biznes. Ulja e TVSH-së në turizëm për strukturat akomoduese nga qeveria ka qenë një shtysë tjetër për sektorin.
Pavarësisht potencialit që ofron, tregu haset me shumë vështirësi, kryesorja e të cilave është paligjshmëria, që zë mbi 90% të tregut. Kjo do të thotë se, më shumë se 90% e akomodimeve nëpër hotele në vendin tonë është informale dhe e paregjistruar.
Fenomeni është më i përhapur në zonat bregdetare, ku strehohen mbi 80% e hoteleve të Shqipërisë. Sa i përket numrit total të strukturave akomoduese në vendin tonë, jo vetëm që nuk ka një vlerësim të saktë, por të dhënat janë tërësisht kontradiktore, të papajtueshme me realitetin dhe të vjetra.
Për të ilustruar këtë mjafton të themi që të dhënat e fundit të Instat i takojnë vitit 2008 dhe flasin për 240 hotele në rang republike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.