Hotelet e reja – Për 3-mujorin u dhanë leje në vlerë 9.9 miliardë lekë
Shtimi i numrit të turistëve po sjell një interes në rritje për ndërtimin e hoteleve në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, kjo tendencë vijoi edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Në të gjithë vendin, u dhanë 28 leje ndërtimi për struktura të reja akomoduese.
Ndërkohë, vitin e kaluar, ishin dhënë 75 leje të reja për ndërtimin e hoteleve, në rritje me 75% krahasuar me vitin 2017. Shpesh në vitet e fundit, përfaqësues të qeverisë dhe operatorë turistikë kanë vendosur theks në faktin se Shqipëria nuk ka kapacitete për t’iu përgjigjur numrit në rritje të turistëve të huaj.
Kryetari i Bashkisë Tiranë e ka shtruar këtë si argument për të nxitur ndërtimet e reja në zonën qendrore të Tiranës. Mbështetur në të dhënat e lejeve të ndërtimit, vlera e hoteleve të miratuar për t’u ndërtuar është rreth 9.9 miliardë lekë, shumë kjo disa herë më e lartë se e gjithë vlera e lejeve të miratuara gjatë gjithë vitit 2018.
Kjo tregon se në lejet e miratuara për tremujorin e parë të vitit përfshihen edhe projekte të mëdha. Qeveria prej një viti aplikon incentiva fiskale për ndërtimin e hoteleve me katër dhe pesë yje, me qëllim tërheqjen e investimeve elitare në sektorin e turizmit.
Sipas Instat, për vitin 2018, vendin tonë e vizituan afro gjashtë milionë shtetas të huaj, në rritje vjetore me 16%. Ky ishte njëkohësisht numri më i madh vjetor i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në Shqipëri.
Megjithatë, një problem për rritjen e turizmit ngelen përmasat e vogla të njësive akomoduese. Mesatarisht, një hotel në Shqipëri ka rreth 33 shtretër. Një përmasë e tillë e bën të vështirë tërheqjen e grupeve të mëdha, por mbi të gjitha nuk mundëson përfitime nga ekonomitë e shkallës. Në teori, një hotel i vogël ka kosto mesatare më të larta, çka e bën më pak konkurrues në çmime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.