Huaja 500 milionë euro – Ekspertët: Risitë që sjell për ekonominë
Marrja e borxhit prej 500 milionë euro në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, përmes emetimit të një eurobondi të ri, vlerësohet pozitivisht nga ekspertët e ekonomisë, duke marrë në konsideratë afatin e maturimit dhe një normë më të ulët interesi, krahasuar me atë të borxhit ekzistent.
“Përgjithësisht sa më i gjatë të jetë aq më i lartë është besimi. Dhe njëkohësisht norma e interesit që jepet për këtë. Mendoj që, duke pasur parasysh vlerësimet që ka pasur nga institucionet ndërkombëtare vlerësuese ekonomia shqiptare, të paktën një ekonomi e qëndrueshme me stabilitet financiar dhe me trendë pozitive, mendoj që vendimi i sotëm i investitorëve sa i përket eurobondit shqiptar do jetë për një periudhë 7 vjeçare siç kërkohet dhe me një normë interesi më të ulët se herën e kaluar. Nuk mund ta them ekzaktësisht se sa do jetë norma e interesit, por do jetë diçka midis 4.7 dhe 4.9 për qind”, tha Adrian Civici, President i UET.
“Rifinacimi i borxhit të jashtëm që po bën qeveria për eurobondin e emetuar që në vitin 2009 mendoj që, dhe uroj shumë që të ketë risinë e parë që norma e interesit me të cilin tregjet do të blenë këtë borxh të jetë relativisht më i ulët se ajo që kishim deri tani me rreth 5.7 për qind. Ky do ishte suksesi kryesor. Nga ana tjetër duket që kemi të bëjmë edhe me një operacion financiar për ta ristrukturuar borxhin, që do të thotë afati i zgjatjes së maturimit 7-10 vjet, dhe natyrisht që shtrirja në kohë e borxhit të jashtëm të Shqipërisë është një gjë pozitive sepse krijon më shumë hapësira për rifinancim më të kollajtë të borxhit. Pra nga kjo pikëpamje është një gjë e rëndësishme dhe pozitive. E dyta kemi edhe një rritje të lehtë të peshës së borxhit të huaj në raport me borxhin e brendshëm. Gjithashtu duke përfituar nga norma shumë të ulta që janë aktualisht në tregjet financiare, mendoj që do të jetë një gjë shumë pozitive”, sipas ekspertit të ekonomisë Selami Xhepa.
Por çfarë pritet të sjellë emetimi i eurobondit për vendin dhe për investimet?
“Çdo qeveri e çdo vendi të botës normalisht është pjesë e këtyre tregjeve, Shqipëria e bën pjesë në vendet e fundit që ka dalë në tregjet financiare ndërkombëtare që në vitet 2008-2009. Kjo padyshim është një lloj pasaporte e Shqipërisë për tregjet financiare”, tha Xhepa.
“Mendoj që është një instrument normal si çdo ministri finance dhe si i çdo qeverie. Duke patur parasysh edhe shpjegimet që janë dhënë për këtë eurobond, një pjesë e të cilit do përdoret për riblerje e eurobondit të kaluar, pra një lehtësim i borxhit publik. Nga ana tjetër, një pjesë do përdoret për investimet dhe nevojat që do ketë qeveria në 3-4 vitet e ardhshme, në funksion edhe të planit buxhetor afatmesëm”, u shpreh Civici.
Sipas Ministrisë së Financave, huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.