Huamarrja e brendshme – Sistemi bankar mban peshën kryesore
Lëvizjet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, si dhe për të “zbutur” sadopak risqet, ka bërë që qeveria shqiptare të orientojë huamarrjen drejt tregut vendas.
Kështu referuar treguesve zyrtarë të borxhit publik, vihet re se peshën kryesore e mban huamarrja e brendshme.
Nga i gjithë stoku i huamarrjes publike, i cili në fund të qershorit, ishte 1 trilion e 67 miliardë lekë, pjesën më të madhe e mban huamarrja e brendshme, e cila kap vlerën e 547. 8 miliardë lekë.
Ndërsa borxhi i jashtëm në fund të 6 mujorit rezulton të jetë në shifrën 491.9 miliardë lekë.
Duke parë dhe ndarjen e huamarrjes se brendshme vihet re se sistemi bankar mban dhe peshën kryesore me 60.86%, ndërsa institucionet financiare jo bankare zënë 15.75 % të këtij borxhi.
Gjithashtu individët zënë një peshë jo të vogël në nivelin e huamarrjes qeveritare më 15.01%, ndërsa Banka Qendrore ka një peshë prej 8.37% të këtij borxhi.
Borxhi publik ka zbritur në 66.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mesin e këtij viti, ndërkohë që në buxhetin e këtij viti, vetë qeveria parashikonte që borxhi të ulej në jo më pak se 69.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.