Impianti më i madh diellor – MIE hap tenderin. Investimi në Akërni të Vlorës, 70 mln euro
Hapet zyrtarisht gara për ndërtimin e impiantit fotovoltaik 50 megavat në Akërni të Vlorës, më i madhi i këtij lloj në Ballkan. Investimi parashikohet të ka vlerën prej 70 milion euro ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka bërë thirrje kompanive të interesuara për ndërtimin e impiantit që të paraqesin ofertat brenda datës 17 shtator kur do të zhvillohet tenderi.
Sipas projektit, parku diellor i Akërnisë do të ndërtohet nga një kompani private, e cila do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të tij për 30 vite. Qeveria garanton blerjen e energjisë nga OSHEE për 15 vite, ndërsa për pjesën e mbetur privati do ta shesë energjinë në tregun e lirë.
Lidhur me çmimin me të cilin OSHEE do të blejë energjinë nga parku diellor pritet që të përcaktohet në ankand. Më shumë pikë do të fitojnë ato kompani të cilat do të ofrojnë çmim më të ulët dhe ndërtimin e parkut me kapacitetet më të mëdha.
Impianti diellor në Akërni është i pari me një kapacitet të tillë prodhues ndërkohë që deri më tani në vendin tonë janë dhënë leje për impiante deri në 2 Megavat.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.