Indikatori që mat sistemin shëndetësor/ Shqipëria, vetëm 3.4% të PBB për shëndetin, 3 herë më pak se mesatarja e BE-së
Shpërthimi i pandemisë globale si pasojë e visurit Sars-Cov-2, nxori në pah problemet e sistemeve shëndetësore në cdo cep të globit, edhe në vendet e zhvilluara. Një ndër arsyet se përse Shqipëria i mori masat drastike më herët se shumë vende të tjera është pikërisht kjo, mungesa e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për t`u përballur me një shpërthim eksponencial të të sëmurëve.
Por a ka parametra për të matur realisht sistemin shëndetësor të një vendi?
Indikatori më i saktë duket të jetë pikërisht ai i shpenzimeve buxhetore për shëndetësinë. (Në vendet e Bashkimit Europian mesatarja fiksohet në 9.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që varion, nga 11.3% në rastin e Francës, deri në 5.2% në rastin e Rumanisë.
Po në Shqipëri sa është kjo normë? Bazuar në të dhënat e vitit 2017, të njëjtin vit që ka përdorur Eurostat për të bërë krahasimin, rezulton se shpenzimet për shëndetësinë në vendin tonë ishin 53 miliardë lekë, ose vetëm 3.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, si asnjë vend tjetër i Bashkimit Europian, apo i vendeve të Efta-s. Pra, në Shqipëri shpenzimet për shëndetësinë në raport me atë që prodhon ekonomia, janë thuajse 3 herë më të ulta.
Për të treguar se ky indikator ka realisht shumë vlerë për t`i dhënë një notë sistemit shëndetësor, sidomos sa I përket kapaciteteve, mjafton të themi se dy vendet e para të listës janë Franca dhe Gjermania, dy shtete europiane të cilat pavarësisht se po përballen me një fluks tepër të lartë të rasteve të Covid-19, nuk i kanë spitalet dhe sistemet në kolaps, dhe se Italia me Spanjën, dy vende me sistemin në kolaps për momentin, janë nën mesataren europiane në këtë indikator.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.