Inflacion i ulët edhe në tetor – Rritja e çmimeve, vetëm 1.3%
Ndërsa Banka e Shqipërisë insiston se inflacioni i ulët i detyrohet faktorëve kalimtarë, ky tregues qëndroi në nivele mjaft të ulëta edhe në muajin tetor. Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan se inflacioni regjistroi sërish në 1.3%, po aq sa në muajin shtator. Rritja e çmimeve është ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin e kaluar. Kontributin më të madh në inflacion vazhdon ta japë grupi me peshën kryesore në shportë, ai i produkteve ushqimore.
Inflacioni i këtij grupi u rrit lehtë ndjeshëm në 3%, nga 2.5% që kishte qenë për shtatorin. Produktet ushqimore me rritjen më të lartë çmimeve ngelet frutat dhe perimet, megjithatë, gjatë tetorit u regjistrua një shtrenjtim edhe për produktet e bulmetit dhe ëmbëlsirat. Por, ndikimi i rritjes së çmimeve të ushqimeve u neutralizua nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse, energji” dhe “transporti”. Këto dy grupe shfaqën inflacion në rënie të ndjeshme gjatë tetorit, duke bërë që inflacioni mesatar në ekonomi të qëndrojë aty ku ishte edhe në shtator.
Niveli i ulët i inflacionit e ka vendosur Bankën e Shqipërisë para dilemës për të reaguar ose jo me një rritje të mëtejshme të stimulit monetar. Në daljen e djeshme para mediave pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori Sejko tha sërish se një ulje e mëtejshme e normës bazë të interesit ngelet e mundshme.
Ky është një paralajmërim që përsëritet prej tre muajsh, por deri tani Këshilli Mbikëqyrës ka preferuar të mos e ulë më tej normën bazë poshtë nivelit aktual prej 1%. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e çmimeve në muajt e fundit pasqyron forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, por, nga ana tjetër, edhe rënien e inflacionit në vendet partnere. Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe stabilizimi i kursit të këmbimit, do të krijojnë premisa për kthimin gradual të inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.