Inspektimi “online” në terren, Hajdari: Ul koston për biznesin, eliminon korrupsionin
Inspektimi dhe kontrolli i bizneseve tashmë do të jetë online dhe të gjitha të dhënat do të regjistrohen në data-bazë të inspektoriateve përkatëse, si dhe Inspektoriatit Qendror Shtetëror.
Televizioni SCAN ka ndjekur një trupë inspektimi dhe kontrolli në një sipërmarrje në kryeqytet ku çdo procedurë është kryer në kohë reale.
Kjo procedurë do të jetë një thjeshtim i punës së inspektorëve dhe i biznesit, është shprehur, Shkëlqim Hajdari, Kryeinspektori i Përgjithshëm. Sipas tij, inspektimi online do ulë koston dhe eliminojë korrupsionin. Ndërsa Kryeinspektori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Dritan Ylli vlerësoi atë që tashmë inspektorët do të paraqiten pranë biznesit vetëm më një kompjuter dhe nuk ka më blloqe apo shkresa, të cilat shpeshherë manipuloheshin.
Më herët në ambientet e Inspektoratit Qendror, Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari zhvilloi një takim me Kryeinspektorët e Inspektorateve Shtetërore për funksionimin efektiv dhe me përparësi të “Inspektimeve Online”.
Kjo procedure do të ndihmojë në sensibilizimin e biznesit dhe opinionit publik për luftimin e informalitetit dhe rritjen e transparencës së grupeve të Inspektimit të Inspektorateve Shtetërore në raport me sipërmarrjen dhe entet publik.
Violeta Shqalsi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.