Integrimi në BE/ Mogherini dhe Hahn takojnë në New York liderët e Ballkanit Perëndimor: Konfirmuan angazhimin për vijimin e reformave (DEKLARATA E PLOTË)
Shefja e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini së bashku me komisionerin e Zgjerimit Johaness Hahn zhvilluan mbrëmjen e djeshme një takim me liderët e Ballkanit, në kuadër të avancimit të rajonit në Bashkimin Europain.
Takimi, sipas deklaratës së Komisionit Europian u zhvillua në New York, ndërkohë që përfaqësuesit e lartë të BE dhe liderët e rajonin janë pjesëmarrës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Mbrëmë, zhvilluam një sesion pune me krerët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork për të avancuar më tej punën në rrugën e integrimit të Bashkimit Evropian të të gjithë rajonit. Ne rikonfirmuam mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian për perspektivën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, siç është shprehur kohët e fundit si në nivelin e Këshillit Evropian, ashtu edhe nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Në përputhje me këtë angazhim, Bashkimi Evropian po rrit mbështetjen e saj ndaj të gjithë partnerëve drejt objektivave të arritshme dhe realiste, në mënyrë që përparimi i tyre të jetë i pakthyeshëm deri në fund të mandatit tonë”, thuhet në deklaratën e Mogherinit dhe Hahn.
Në këtë takim, Mogherini dhe Hahn u shprehën se liderët e Ballkanit konfirmuan angazhimin e tyre për të përforcuar punën e reformave, në veçanti për drejtësinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
“Ne jemi të kënaqur që udhëheqësit – Presidenti Filip Vujanoviç i Malit të Zi, Presidenti Aleksandar Vuçiç i Serbisë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Kryetari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Dragan Çoviç, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev – konfirmuan angazhimin e tyre për të përforcuar punën e reformave, në veçanti për drejtësinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë për të ruajtur dhe ndërtuar mbi këtë moment pozitiv”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të Mogherinit dhe Hahn.
Ndërkohë që Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme mori pjesë në një takim pune me Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Fokusi i këtij takimi ishte diskutimi mbi zbatimin e angazhimeve të marra në Samitin e Triestes, në mënyrë të veçantë Planin e Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe diskutimeve në takimin vijues të organizuar nga Kryeministri Rama me kryeministrat e rajonit në muajin gusht në Durrës.
Ministri Bushati vlerësoi rolin dhe angazhimin e Komisionerit Hahn për të jetësuar Zonën Ekonomike Rajonale, të cilën, theksoi ai, ne e shohim si një rrugë lehtësuese të projektit tonë evropian. Ajo nuk mund të jetë projekt alternativ e për më pak zëvendësues. Më tej Bushati theksoi rëndësinë e një shpërndarjeje të drejtë dhe të ndershme të selive të organizatave rajonale në të gjitha vendet.
Deklarata e plotë e Hahn dhe Mogherinit
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.