Investim nga Fondi i Komuniteteve – Veliaj: Zgjedhja e administratorit, kusht për përfitim
Një tjetër pallat në kryeqytet, në njësinë nr.5 ka ndryshuar tërësisht fasadën e tij si dhe ka bërë investime në termoizoim, pasi ka përfituar nga Fondi i Komuniteteve i vënë në dispozicion nga Bashkia Tiranë. Përfitimi i grantit në masën 50 për qind të investimit, ka bërë që banorët tashmë të paguajnë më pak energji elektrike. Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha se ky transformim vjen si produkt i bashkëpunimit mes bashkisë dhe komunitetit të banorëve.
“Projekti që sapo inspektuam jo vetëm që e ka ndryshuar veshjen e jashtme të pallatit, por ka bërë edhe një termoizolim të ndërtesës. Do të thotë që çdo familje i ka ulur faturën e energjisë elektrike si në dimër për ngrohje, ashtu edhe në verë për ftohje. Pra, në punë muajsh, investimi nxjerr veten e vet vetëm nga kursimi që i ndodh faturës së energjisë elektrike”.
Kriter kryesor për të përfituar nga Fondi i Komuniteteve, është që banorët të kryesitë dhe administratorët e pallateve të tyre.
“Ftesa ime për të gjithë banorët është që të bëhen bashkë, të zgjedhin një administrator dhe ky administrator më pas vjen në bashki dhe bashkëfinancojmë projekte si ky që kemi sot. Shikoni fare mirë kontrastin e një pallati me administrator dhe një pallati pa administrator; do të thotë, ku ka administrator ka organizim”
Sipas administratorit, investimet në fasadat e pallateve dhe termoizolim kanë rritur ndjeshëm vlerën e pronës për banorët.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.