Investime në Pediatri – Spital ditor dhe ambiente të reja për konsultat
Pediatria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë ka në dispozicion për herë të parë ambiente të posaçme për konsultat dhe një spital ditor, duke shmangur kaosin dhe fluksin e pacientëve në pavionet e spitalit të fëmijëve.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inauguroi ambientet e rehabilituara, të cilat ofrojnë mundësinë e kryerjes së konsultave për katër specialitete të Pediatrisë: Nefrologji; Kirurgji infantile; Gastrologji dhe Endokrinologji.
“Finalizojmë sot këtë projekt që ndan shërbimin spitalor nga shërbimi ambulator, duke i krijuar kushte më të mira mjekëve por edhe pacientëve, të cilët vijnë për konsulta apo për të marrë shërbime ditore pranë Pediatrisë së QSUT-së”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja bëri me dije se brenda vitit do të finalizohet projekti për rehabilitimin dhe zgjerimin e Pediatrisë.
“Por jemi ambiciozë për të realizuar një ndërhyrje që do t’i ndryshojë krejtësisht pamje Pediatrisë këtu në QSUT, investimi madhor në kuadër të projektit me Bankën Botërore, që do të rehabilitojë dhe zgjerojë Pediatrinë. Falë kësaj ndërhyrje, që presim ta finalizojmë si projekt brenda vitit, do të kemi edhe një reanimacion totalisht të ri, me standarde europiane”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkohë, një tjetër investim i rëndësishëm për Pediatrinë është plotësimi i Reanimacionit me aparaturat e nevojshme, në kuadër të projektit me Agjencinë Japoneze JICA. Falë këtij bashkëpunimi, Pediatrisë i janë shtuar 7 monitorë pacienti, shtretër operatore, inkubatorë, krevatë, 4 pompa infuzioni, si dhe brenda këtij muaji, do të shtohet grafia dixhitale dhe eko.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.