Investimet në rrugë – 1.5 mln euro për Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin
Prej datës 10 shtator do të nisin punimet në akset rrugore Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin, çka pritet të sjellë devijim të trafikut, me qëllim shmangien e bllokimit të qarkullimit. Investimi për të dy akset rrugore kap vlerën e 1.5 milion eurove dhe kryhet në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.
Ndërhyrja rehabilituese nga Ura e Bunës deri në Murriqan parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike dhe realizimin e shtresave të reja si dhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme për garantimin e sigurisë rrugore. Ndërkohë që, ndërhyrja e dytë parashikon stabilizimin e skarpatës në aksin Lezhë-Shëngjin, duke instaluar barrierat mbrojtëse ndaj rënies së gurëve.
Për këtë arsye gjatë ditës së Hënë do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugën nacionale Lezhë – Shëngjin në të dy senset e lëvizjes në vendin e quajtur Knallë ku edhe do të kryhet ndërhyrja.
Për këtë arsye ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor u kërkojnë drejtuesve të mjeteve, që kanë si destinacion Shëngjinin të devijojnë lëvizjen majtas në Knallë në aksin rrugor Knallë – Kune. Gjithashtu, drejtuesit e mjeteve në drejtimin nga Shëngjini në Lezhë duhet të devijohen djathats në askin rrugor Knallë – Kune.
Megjithatë, punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqëndruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.