Investimet publike në 11 muaj – Shpenzimet kapitale, 12 mld lekë më shumë se viti 2016
Zëri i investimeve publike është një ndër më të rëndësishmit në buxhetin e shtetit.
Por duke parë statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave, vihet re se për periudhën 11 mujore realizimi i këtyre investimeve është në nivele jo të larta, me konkretisht në afro 70 % e planifikimit vjetor.
Kështu referuar të dhënave të treguesve fiskalë për këtë periudhë, shpenzimet kapitale paraqesin një realizim në masën rreth 51.3 miliard lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është rreth 12 miliard lekë më shumë.
Po sipas këtyre të dhënave, realizimi me financim te brendshëm është në vlerën e 31.6 miliardë lekëve, ndërsa investimet me financim të huaj për këtë periudhë arrijnë në 19.2 miliardë lekë.
Ndryshimet në ligjin për buxhetin e shtetit ka bërë që të mirëmenaxhohen financat publike.
Kjo pasi mosrealizimi i investimeve publike gjatë viteve të fundit ka qenë një ndër problematikat e manaxhimit të buxhetit të shtetit.
Për disa vite rresht ministria e Financave është detyruar të përdorë në fund të vitit letër kreditë, si një instrument financiar, për të bërë të mundur realizim e shpenzimeve kapitale.
Por edhe pse 2017 ishte një vit që korrespondoi me zgjedhjet parlamentare, nuk u ndjenë shumë ato që quhen “investime elektorale”.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.