Investimi në ujësjellës, Gjiknuri: Reforma e ujit nis me bizneset, po bashkëpunojmë me Tatimet
Reforma e ujit do të sjellë më shumë investime, ku në fokus të parë do të jenë bizneset e më pas qytetarët. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se për bizneset po bashkëpunohet edhe me Tatimet, ndërsa bëri apel që çdo kush që ka lidhje të paligjshme të formalizohet.
“Duhet ti bëj edhe një herë thirrje qytetarëve të përfitojnë nga këto ditë. Fokusi kryesor në fillim do të jetë tek bizneset, po evidentohen dhe po bëhen edhe shkëmbime të dhënash me organet tatimore dhe me strukturat e tjera që kanë të dhëna nga bizneset për të parë konsumatorët e mëdhenj të ujit të cilët fatkeqësisht janë debitorë apo shpërdorues. Kush shpërdoron ujin dhe lidhet në mënyrë të paligjshme do të ndëshkohet ligjërisht. Debitorëve do t’ju ndërpritet furnizimi dhe cdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet pastaj me masat penale. Kështu që në fillim do të fillohet me bizneset, por nga kjo periudhë duhet të përfitojnë të gjithë, edhe qytetarët në mënyrë që gjithçka që duhet të formalizohet në këtë kohë”.
Deklaratat Gjiknuri i bëri gjatë inspektimeve që po kryhen për rikonstruksionin e ujësjellësit të lagjeve “28 Nëntori” dhe “Skëndërbeu” në qytetin e Elbasanit.
“Zbatimi i këtij projekti do të eliminojë humbjet e ujit në këtë zonë si dhe do të sigurojë furnizim me ujë pa ndërprerje për 24 orë. Deri më tani janë realizuar 25% e punimeve që përfshin 9 kilometra linjë kryesore të përfunduar me gjithë vendosjen e tubave. Investimi aktual është shumë kyç, dhe kjo i jep gjysmës së Elbasanit, njëherësh 24 orë ujë, ose më mirë të themi marrin 22 mijë familje, na mbesin edhe 10 mijë familje që janë pjesë periferike e qytetit.”.
Ky projekt investimi në vlerën 457,524,645 lekë parashikon zëvendësimin e të gjithë linjave kryesore të shpërndarjes, ndërtimin e 430 pusetave, kasetave individuale dhe kolektive të matëseve të ujit në të cilën do të instalohen 1575 matësa për çdo abonent familjar.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.