Ivi Kaso për “60 minuta”: Ndryshimi i sistemit elektoral dhe qeveria kujdestare ende nuk janë diskutuar. Numërimi elektronik mund të bëhet që zgjedhjet e ardhshme, nëse ka vullnet politik.
Në studion e emisionit politik ’60 minuta‘, të ftuar për të folur mbi Reformën Zgjedhore dhe ecurinë e saj, ishin sekretari për çështjet zgjedhore pranë LSI Muharrem Cakaj, sekretari për çështjet zgjedhore pranë PD Ivi Kaso, kryeredaktori i gazetës ‘Standard’ Gëzim Saliu dhe Besian Pesha nga Nisma ‘Thurje’.
Ivi Kaso nga PD përmendi disa konsensuse të rëndësishme që arriti Këshilli Politik, duke filluar nga shkurtimi i periudhës zgjedhore, që nxit pjesëmarrjen e elektoratit në votime. “Gjithashtu është zgjeruar liria e Presidentit për të dekretuar ai datën e zgjedhjeve.” – shtoi Kaso. Shqetësimi kryesor i opozitës gjatë kësaj reformë është garantimi i të drejtës së qytetarëve për votime të fshehta dhe të lira, duke rritur kështu besimin e qytetarëve tek procesi i zgjedhjeve. Ndryshimi i sistemit elektoral nuk do garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj opozita nuk i ka mëshuar shumë kësaj pike, ka shtuar Kaso. “Edhe pse ne nuk kemi propozuar gjë ende, ndryshimin e sistemit nuk do ta kundërshtojmë, dhe e vërteta thënë, kjo pikë nuk është diskutuar ende në Këshillin Politik. Kjo çështje e nxehtë, sikurse dhe Qeveria Kujdestare, apo rolin e policisë në zgjedhje. Për zgjedhjet e ardhshme është e mundshme, nëse ka vullnet politik për numërimin e votave në mënyrë elektronike. Për votimin e emigrantëve, është propozuar dhe ka filluar puna për garantimin e së drejtës së tyre për t’u shprehur nëpërmjet votës. Në fund, Z. Kaso ka thënë se përfundimi i Reformës Zgjedhore brenda afatit të 31 majit varet nga vullneti politik i mazhorancës.
Z.Cakaj është shprehur mbi mosdakordësitë e Këshillit Politik, që lidhen me financimin e partive dhe kuotat gjinore. “Parimisht është rënë dakord mes palëve në tryezë që të ketë një financim miks, dyfishim i fondeve publike për financimin e partive dhe pjesa tjetër të bëhet nga burime private. “
Kreredaktori i ‘Standard’ Gëzim Saliu është shprehur se edhe nëse Reforma Zgjedhore përfundon siç duhet, zgjedhjet sërish nuk do të jenë të lira dhe të ndershme pasi ky sistem elektoral, nëse qëndron nuk garanton zhvillimin e konkurrencës politike brenda partive, mes partive por dhe mes partive të vjetra dhe atyre të reja në të ardhmen. „Ndryshimi i sistemit do t’i sillte avantazh dhe opozitës, ndaja jo duhet të jetë shumë e interesuar.”, është shprehur ai.
Z.Pesha nga Nisma ‘Thurje’ ka shprehur zhgënjimin e tij mbi dështimin e Refromës Zgjedhore. “Është për të ardhur turp që opozita krenohet me arritjen e marrëveshjes për çështje që nuk e ndryshojnë cilësinë e zgjedhësve” është shprehur Z. Pesha. I pyetur mbi shkaqet që rekomandimi i Nismës për t’u ndryshuar sistemi elektoral dhe hapja e listave, ai është shprehur se nga të gjitha palët në tavolinë asnjë nuk është ndryshuar për rritjen e cilësive të zgjedhjeve, pasi kjo u intereson partive të vjetra për të fituar sa më shumë mandate pa u lodhur shumë. “Opozita në tryezë do të zbatojë vetëm kërkesat e Ramës, nuk do ketë ndryshim sistemi, nuk do të ketë qeveri kujdestare dhe nuk do të ndryshojë ndonjë gjë thelbësore; zgjedhjet e ardhshme do të jenë njësoj si ato të shkuara.” – ka përfunduar Z.Pesha.
D.B – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.