Kamping me energji elektrike, tavolina e stola metalike dhe parkim për 160 mjete! Projekti për pelegrinët në Malin e Tomorrit
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hapur tenderin për sistemimi i zonës së peligrinazhit bektashian në Parkun Kombëtar ¨Mali i Tomorrit¨. Tenderi ka fond limit 50 milionë e 900 mijë lekë ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është 5 tetor 2020.
Drejtimet kryesore të ndërhyrjes janë:
Krijimi i një parkimi kryesor ( rreth 8000 m2) me një kapacitet rreth 40 furgona dhe 120 vetura në dispozicion të pelegrinëve. Parkimi do të jetë i pajisur me ndriçim dhe i shtruar me elemente betoni me hapësirë në mes për mbjelljen e barit duke bërë në këtë mënyre integrimin e gjelbërimit në hapësirat këmbësore dhe të parkimit.
Në krahun e majtë të parkimit mendohet të krijohet një zonë e pajisur me bazamente betoni në të cilat fiksohen tavolina dhe stola me strukture metalike dhe dru në shërbim të pelegrinëve.
Në veri të zonës së ndërhyrjes është menduar të ndërtohet një kamping, në mënyrë që pelegrinët të kenë mundësi të ngrenë çadrat për qendrimin disa ditor. Hapësira e kampingut është rreth 2500 m2 dhe është menduar të jetë e pajisur me furnizimin me energji elektrike dhe ujësjellës në shërbim të çadrave.
Në jug të hapësirës së kampingut është parashikuar dhe ndërtimi i një ambienti për zyra të AKZM, me një sipërfaqe rreth 40 m2, një katëshe, e cila do të jetë në shërbim të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që menaxhon Parkun Kombëtar Mali i Tomorrit.
Gjithashtu në planin e ndërhyrjeve është parashikuar dhe rehabilitimi i segmentit të rrugës në krah të parkimit kryesor, duke e pajisur rrugën ekzistuese me bordure dhe shtresë me beton dekorativ.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.