Kartat bankare – Tregu në rritje, sfida janë pagesat jo cash
Numri i kartave të lëshuara nga institucionet financiare shqiptare është më shumë se një milionë. Më saktësisht, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të shtatorit 2017 numri i kartave aktive ka arritur në 1 milion e 38 mijë.
Në pesë vitet fundit, numri i kartave është rritur me 35%, çka tregon zgjerimin e dukshëm të përdorimit të instrumenteve të pagesave bankare nga publiku shqiptar. Sot afërsisht një çdo tre shqiptarë zotëron një kartë bankare.
Drejtoresha e departamentit të Kartave në Credins Bank, Almida Asllani, thotë se përdorimi i kartave nga publiku shqiptar është në rritje, ndërkohë që spektri i produkteve të ofruara nga bankat tregtare është në rritje.
Credins Bank së fundmi ka sjellë për herë të parë kartat MasterCard Contactless, që mundësojnë pagesa të thjeshtuara, pa u vendosur fizikisht në pikat elektronike të shitjeve.
Në fakt, kartat e debitit, të lidhura me llogarinë, prej më shumë se një dekadë janë një instrument i zakonshëm. Formalizimi i pagave dhe investimet e sistemit bankar në infrastrukturën e pagesave kanë bërë që pjesa dërmuese e shqiptarëve të jenë mëse të familjarizuar me këtë instrument.
Mbi 84% e kartave, janë instrumente debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve. Në raport me tregjet e zhvilluara, potencialet të mëdha rritjeje janë te produktet e mirëfillta kreditore, si kartat e kreditit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit 2017, numri i kartave të kreditit arriti në afro 94 mijë. Në harkun e pesë viteve të fundit numri i kartave të kreditit është dyfishuar.
Sfida për të zhvilluar më tej tregun e kartave lidhet me një përdorim më të gjerë të tyre përtej veprimeve klasike me cash, siç janë tërheqjet e parave nga bankomatet. Sidoqoftë, përdorimi i kartave për blerje direkte është në rritje, falë një shtyse gjithnjë e më të të fortë nga blerjet nëpërmjet internetit.
Për sistemin bankar, sfidë ngelet pranimi i kartave si instrument pagesash nga bizneset. Kjo sfidë lidhet sa me formalizimin e aktivitetit të sipërmarrjeve, ashtu edhe me edukimin lidhur me përdorimin e këtyre instrumenteve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i terminaleve elektronike të shitjeve në fund të shtatorit 2017 ishte afërsisht 7400, nga të cilat rreth 82% janë të vendosura në qarkun e Tiranës.
Shumica e kartave të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar i takojnë shoqatave të mëdha globale të pagesave, si “Visa”, “Master Card”, apo “American Express”, që mund të përdoren për të kryer pagesa pothuajse në të gjithë botën.
Veç të tjerash, lëshimi i kartave që mbajnë markat e mësipërme kërkon nga bankat edhe standardet më të larta të sigurisë. Ekspertët shpjegojnë se, duke respektuar udhëzimet e bankës për përdorimin e tyre, kartat janë instrumente tejet të sigurta për kryerjen e pagesave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.