Kastriot Robo, ambasadori i ri i Shqipërisë në Turqi! Karriera diplomatike në Greqi, Britani e Spanjë
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e ri të Shqipërisë në Turqi, Kastriot Robo, me rastin e marrjes së detyrës.
“Shqipëria dhe Turqia kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe një bashkëpunim ekonomik të ngushtë. Shqipëria mirëpret investimet turke në vendin tonë dhe kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik. Ne vlerësojmë gadishmërinë e Turqisë për ndërtimin e 500 banesave për familjet e prekura nga tërmeti dhe qeveria shqiptare po krijon kushtet për fillimin sa më shpejt të ndërtimeve. Kjo duhet të jetë edhe një çështje prioritare për punën tuaj” vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ambasadori Kastriot Robo nënvizoi se Ambasada e Shqipërisë në Turqi dhe ai personalisht do të angazhohen maksimalisht për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh si edhe nxitjen dhe realizimin e nismës për ndërtimin e banesave për popullsinë e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, raporton SCAN.
Kastriot Robo është diplomat karrierë. Në vitet 1998 ai ka marrë detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Greqi dhe në vitin 2006 atë të ambasadorit të Shqipërisë në Londër. Sëfundmi,ai ka qenë ambasadori i Shqipërisë në Spanjë.
Robo merr këtë detyrë pas dorëheqjes së ambasadorit të mëparshëm Gent Gazheli.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.